110-vjetori i heshtur i Sterjo Spasses, Behar Gjoka kritikon ashpër institucionet

110-vjetori i lindjes së shkrimtarit Sterjo Spasse ka kaluar në heshtje të institucioneve kulturore dhe të arsimit. Studiuesi Behar Gjoka e kritikon ashpër këtë harresë, ndërsa thotë se këto të fundit janë të zëna me punët e shkatërrimit të kulturës.

Sipas Gjokës, Spasse është një ind ndërlidhës në mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ndërsa kjo datëlindjes duhet të shërbejë si mundësi rileximi e reflektimi për veprimtarinë e tij letrare.

14 gushti shënon ditën e lindjes së shkrimtarit Sterjo Spasse. Një nga zërat më të veçantë të letrave shqipe, nuk ka ngjallur kurrëfarë interesi tek institucionet shtetërore, të kulturës apo të arsimit për të realizuar një kujtesë për veprimtarinë e figurës së ndritur.

“Pritej që pavarësisht kontributit të gjerë, letrar dhe didaktik, sidomos nga dikasteret e kulturës dhe të arsimit, me gjasë ndonjë institucion i varësisë së tyre, edhe mundej që të gjente kohë për ta përkujtuar në këtë 110 vjetor, me gjasë për ta përmendur së paku. Mbase këto dikastere, kaq të zena me punët e “ndërtim-shkatërrimit”, të arsimit dhe kulturës, e kanë lënë për 32 gusht! Heshtja absurde në 110 vjetorin e autorit, një rregull i pashpallur, nuk është flori, por një tregues i qartë mediokriteti, ku notojnë institucionet, kinse kulturore dhe arsimore, se shkenca ka hy në analet e analfabetizmit funksional”.

Autori me prozën “Pse? “, botuar në vitin 1935, solli në letrat shqipe romanin e parë modern, së paku në qasjen filizofike të fatit të qenies njerëzore, duke e përfshirë kështu shkrimin letrar të shqipes, në shtjellat e modernitetit, më herët nga sa mendohet dhe shkruhet nëpër rrëpirat e akademizmit shqiptar. Ky përjetor sipas Gjokës është një mundësi për ta rilexuar Spassen e për të reflektuar.

“110 vjetori, si përkujtim, do ta vendoste si figurë dhe personalitet në kontekstin rajonal, me shumë gjasa si një ind dhe urë ndërlidhëse në mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, mbase edhe më gjerë, kudo që ka lexuesit e vetë. Përvjetori i 110 i Sterjo Sapsses, është një shans leximi dhe reflektimi, po kaq është një shkas për ta vendosur veprën e gjerë letrare, pedagogjike dhe pulbicistike, e veçmas romanet e tij, aty ku i takon, si pjesë thelbësore e vetëdijes gjuhësore dhe letrare, si vatër e vetëdijes dhe lartimit të genit shqiptar”.

Sterjo Spasse me veprat e përfillshme letrare, tashmë e ka kryer misionin, por duket se instiutocionet kulturore dhe arsimore, humbën shansin e radhës, për të fituar diçka nga sharmi njerëzor, shpirtëror, kulturor dhe estetik, që përgjithësisht e bart qenia e tij, e ngurosur në shkronjat e shqipes.