Me nder dhe kënaqësi të madhe, partia Aleanca Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), e vetmja parti që mbron interesat e maqedonasve në Shqipëri, i dërgon urime të përzemërta Qeverisë së sapozgjedhur maqedonase nën udhëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski. Ky është një moment domethënës për mëmëdheun tonë dhe ne, maqedonasit në Shqipëri, ndajmë ndjenjën e krenarisë dhe shpresës për një të ardhme më të ndritshme.
Jemi të sigurt se nën udhëheqjen e kryeministrit Mickoski, Republika e Maqedonisë do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie të forta dhe të shëndetshme me fqinjët e saj, veçanërisht me Republikën e Shqipërisë. Vizioni ynë është një e ardhme e përbashkët e bazuar në vëllazëri, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, e cila do të kontribuojë në avancimin e të gjitha sferave të bashkëpunimit.
Nga qeveria e re maqedonase dhe shqiptare, për të forcuar lidhjet ndërmjet vendeve tona dhe për të mbrojtur të drejtat e komunitetit maqedonas në Shqipëri, presim:
1. Nënshkrimi i Marrëveshjes për pozitën dhe të drejtat e maqedonasve në Shqipëri dhe shqiptarëve në Maqedoni, në baza reciproke.
2. Marrëveshja për funksionim 24 orësh të pikës kufitare Xhepisht-Trebisht në zonën e Gollobordës.
3. Hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Maqedonisë në qytetin e Korçës, e cila do të jetë në kontakt të drejtpërdrejtë me maqedonasit nga Qarku i Korçës.
Gjithashtu, kundërshtojmë ashpër ndërhyrjen brutale të Bullgarisë në zonat ku jetojnë maqedonasit, të cilët Sofja i konsideron “bullgar”, edhe pse në Shqipëri të ktillë nuk ka! Për këtë kërkojmë mbështetje nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë në mbrojtjen e pozitës dhe të drejtave të maqedonasve në Shqipëri dhe parandalimin e tentativave për shkombëtarizimin.
Në fund, AMIE i uron sinqerisht kryeministrit Hristijan Mickoski dhe administratës së tij sukses dhe mençuri në udhëheqjen e Maqedonisë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të begatë. Ne mezi presim të punojmë së bashku në forcimin e lidhjeve midis maqedonasve nga Shqipëria dhe mëmëdheun, Maqedonia.
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE)