Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) në “emër të subjektit të vetëm politik që përfaqëson interesat dhe të drejtat e pakicës maqedonase në Shqipëri”, i dërgoi një letër Komisionit për Eliminimin e Diskriminimit Racor – Zyra e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke paraqitur një raport të posaçëm të përgatitur nga partia në lidhje me “çështjet e rëndësishme dhe shqetësuese lidhur me censusin/regjistrimin e popullsisë të kryer në Shqipëri në tetor 2023”.
Raporti ynë detajon një sërë incidentesh që ngrenë shqetësime serioze për zbatimin dhe integritetin e procesit të censusit, veçanërisht duke u fokusuar në presionin, kërcënimet dhe shantazhet e kryera nga autoritetet bullgare gjatë censusit. Këto veprime cenuan të drejtat dhe liritë e komunitetit maqedonas në Shqipëri, çështje kjo që është drejtpërdrejt në mandatin e Komisionit për eliminimin e diskriminimit racor, për parandalimin e diskriminimit racor dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave – tha Sterjovski.
Shton se qëllimi i raportit është i dyfishtë, të nxjerrë në pah shkeljen e të drejtave të minoriteteve dhe të ofrojë detaje dhe dëshmi të taktikave të përdorura për të frikësuar anëtarët e komunitetit maqedonas në Shqipëri, taktika që besojnë se janë krijuar për të ndikuar ose manipuluar rezultatet e censusit.
Ftojmë me respekt Komitetin për Eliminimin e Diskriminimit Racor që të shqyrtojë këtë raport dhe të marrë në konsideratë marrjen e masave të duhura. Kjo mund të përfshijë hetimin e këtyre incidenteve, shprehjen e shqetësimeve tek autoritetet përkatëse dhe dhënien e rekomandimeve se si të mbrohen të drejtat e pakicës maqedonase në Shqipëri – thekson ai.
Në raport theksohet se AMIE është e përkushtuar për të nxitur një shoqëri në të cilën të gjitha grupet etnike mund të jetojnë në harmoni dhe të drejtat e tyre respektohen në mënyrë të barabartë.
Megjithatë, ngjarjet rreth censusit të tetorit 2023 kanë hedhur hije mbi këtë vizion, duke kërkuar ndërhyrjen e organeve të respektuara, siç jeni ju. Ne besojmë se Komiteti do t’i kushtojë kësaj çështjeje vëmendjen urgjente që meriton dhe presim me padurim mbështetjen tuaj në adresimin e këtyre shqetësimeve serioze. Nëse nevojiten informata apo sqarime shtesë, kemi kërkuar që të na kontaktojnë – thotë Sterjovski.
Muajin e kaluar, një delegacion i AMIE-së i kryesuar nga Sterjovski zhvilloi disa takime me përfaqësues të Këshillit të Evropës në Strasburg dhe me eurodeputetë në Parlamentin Evropian në Bruksel.
Fokusi kryesor i takimeve ishte pozita e maqedonasve në Shqipëri, ku u prezantua raporti i posaçëm i përgatitur nga AMIE për censusin e popullsisë në Shqipëri, i cili u zhvillua në tetor 2023 dhe presionet e Bullgarisë për asimilimin e maqedonasve në Shqipëri.
©Makedonium