Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në bashkëpunim me shoqatën maqedonase “Sonce”, në kuadër të nismës “Kërkimi shkencor në letërsi” organizoi në Bashkinë Pustec, në mjediset e Muzeut “Sterjo Spasse” veprimtarinë: “Një botë mes dy kulturash – Sterjo Spasse dhe rëndësia e veprës së tij letrare”. Veprimtaria gjeti bashkëpunimin e nxënësve dhe mësuesve të shkollës Pustec, të drejtuesve lokalë, krijuesve dhe personaliteteve nga kjo Bashki.
Në fjalën e saj, dekania e Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho theksoi rëndësinë e projektit “Kërkimi shkencor në letërsi”, duke u ndalur në specifikat e hulumtimit kritik mbi korpusin krijues të shkrimtarit Sterjo Spasse. Komuniteti maqedonas në Shqipëri është një aset i çmuar për vlerat e trashëgimisë kulturore dhe folklorit që kanë shërbyer si koordinata studimi shkencor edhe për punimet e diplomave nga ana e studentëve të programit të studimit “Gjuhë dhe Letërsi” në këtë fakultet.
Në fjalën e tij, pedagogu, dr. Eris Rusi vlerësoi bashkëpunimin letrar dhe kulturor që ekziston aktualisht mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke përmendur edhe ngritjen e rrjetit të kritikës letrare si një nismë e përbashkët mes dy vendeve, që forcon mundësinë e kërkimit shkencor dhe interpretimit letrar të teksteve të botuara në shqip dhe në maqedonisht.
Dr. Ilir Shyta mbajti një kumtesë shkencore për veprën e shkrimtarit Sterjo Spasse, duke shkëputur fragmente të zgjedhura leximi nga romani “Pse” i këtij autori.
Vasil Sterjovski, çmoi vlerat e këtij projekti dhe mundësinë e përfshirjes aktive të nxënësve që në të ardhmen mund të jenë pjesë e programeve të studimit në Universitetin “Fan S. Noli”. Nisma të tilla sipas tij janë me vlerë të qenësishme për jetën dhe harmoninë në komunitet.
Në përfundim të takimit, nxënësit dhe mësuesit e pranishëm shprehën vlerësimin për këtë takim frymëzues, që tërhoqi vëmendjen dhe interesin e të pranishmëve.
©Makedonium