Pendarovski takohet me përfaqësuesit e AMIE-së në Pustec

Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Stevo Pendarovski, gjatë vizitës së tij në Bashkinë Pustec, pati një takim me kryesinë e së vetmes parti të maqedonasve në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), të cilët në këtë takim kishin ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë ku jetojnë maqedonasit në Shqipëri.

Në takim përfaqësuesit e Aleancës së Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) përshëndetën vizitën e dy presidentëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkinë Pustec, ku jeton një pjesë e komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe vizita e së cilës është bërë me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Në takim, përfaqësuesit e AMIE-së e njohën Presidentin Pendarovski me pozitën e maqedonasve në Shqipëri, të cilët janë qytetarë luajal të Shqipërisë, dhe sfidat me të cilat përballen, veçanërisht në prag të regjistrimit të popullsisë, si dhe presionin e Bullgarisë për asimilimin e komunitetit maqedonas duke përdorur anëtarësimin e saj në BE.

Gjithashtu u diskutua edhe për nevojën e funksionimit 24 orë të pikës kufitare Xhepisht-Trebisht në zonën e Gollobordës.

Përfaqësuesit e AMIE-së kërkuan nga institucionet e Republikës së Maqedonisë që të kujdesen më shumë për maqedonasit në Shqipëri dhe në rajon, siç bëjnë të gjitha vendet e Ballkanit për minoritetet e tyre.

Përfaqësuesit e AMIE-së kërkuan nga presidenti Pendarovski që t’i sigurojë një bust për Spase Mazenkovskin, aktivistin e shquar maqedonas, poet dhe publicist nga Prespa, i cili vdiq 5 vjet më parë dhe do të vendoset në fshatin e tij të lindjes në Leska, Bashkia Pustec.

Përfaqësuesit e AMIE-së nga Golloborda e ftuan presidentin Pendarovski që të vizitojë zonën e Gollobordës.

Takimi me presidentin Pendarovski u zhvillua në zyrën e partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian në Pustec.

©Makedonium