Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, më 23 korrik 2023 ka realizuar një vizitë pune në Shqipëri, me ftesë të presidentit Bajram Begaj.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me Presidentin e Maqedonisë, Pendarovski, zhvilluan një vizitë në Pustec, ku edhe jeton një pjesë komunitetit maqedonas në Shqipëri.
Sipas njoftimit nga Presidenca e Shqipërisë, gjatë qëndrimit në Pustec, Begaj dhe Pendarovski patën edhe një takim dypalësh, “të fokusuar në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve”.
Në fshatin Glloboçeni, afër Pustecit, presidenti Pendarovski dhe presidenti Begaj vizituan Muzeun kushtuar shkrimtarit shqiptar me origjinë maqedonase, Sterjo Spasse. Në ambientet e muzeut, presidentët Pendarovski dhe Begaj dhe delegacionet e dy vendeve zhvilluan një takim plenar.
Në takim u shpreh kënaqësia për miqësinë tradicionale dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes dy vendeve, si dhe siguria se mbështetja e ndërsjellë dhe shkëmbimi i përvojave do të vazhdojë edhe në të ardhmen për arritjen e synimeve strategjike dhe integrimin e plotë të të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, u theksua se hapja e negociatave për anëtarësim hapi perspektiva dhe mundësi të reja për të dyja vendet, të cilat kërkojnë angazhim më të madh dhe ndërmarrje të proceseve serioze reformuese. Gjithashtu u theksua se të dy vendet duhet të fokusohen në lidhjet infrastrukturore dhe energjetike, në bashkëpunimin ekonomik, në trajtimin efektiv të rreziqeve të fatkeqësive dhe ndryshimeve klimatike, si dhe në sfidat që paraqesin çështjet e sigurisë.
Në Pustec, presidenti Pendarovski dhe bashkëshortja e tij vizituan shkollën e bashkuar “Trajan Gjorgiovski dhe Mitre Kolefski” dhe bibliotekën e hapur ku ishin ekspozuar libra në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Në një deklaratë për media, presidenti Pendarovski theksoi se banorët dhe studentët e Pustecit kanë kushte të shkëlqyera për arsimim dhe mësim në gjuhën e tyre amtare. Duke e falënderuar presidentin Begaj për ftesën, presidenti Pendarovski theksoi se kjo vizitë miqësore është për të treguar se pakicat tona që jetojnë në vendet e tjera kanë kushte të njëjta si në vendet e tyre. Pra, atë që kanë shqiptarët në Maqedoni, duhet ta kenë edhe maqedonasit që jetojnë në Shqipëri dhe anasjelltas”, tha presidenti Pendarovski, duke shtuar se të dy vendet mund të jenë shembull për të gjithë për sa i përket kujdesit për pakicat kombëtare.
Gjatë vizitës në shkollë u dhuruan libra në gjuhën maqedonase nga shkrimatrët Blazhe Koneski, Petre M. Andrevski, Zhivko Çingo e të tjerë.
Në Pustec, presidenti Pendarovski zhvilloi takim me përfaqësuesit së vetmes parti të maqedonasve në Shqipëri, Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian (AMIE), me të cilët shkëmbyen mendime për aktivitetet e tyre, angazhimet si dhe për mundësitë për përmirësimin e pozitës së komunitetit maqedonas në Shqipëri.
Presidentët Pendarovski dhe Begaj kanë vizituar edhe kishat “Shën Kryeengjëlli Mihail” dhe “Shën Maria” në ishullin Maligrad në Liqenin e Prespës.
©Makedonium