Bleta e Prespës, historiani Vasil Sterjovski, mbledh vargje këngësh të Prespës, foto të rralla, legjenda dhe mite, jetëshkrime shkrimtarësh dhe artistësh prespiotë dhe me këtë nektar të marrë nëpër histori dhe aktualitet po përgatit një libër të frymëzuar…
Në procesin krijues, temat dhe motivet shkëlqejnë si disa perla në thellësi të liqenit e ato duhen marrë e pastruar nga mjegullat dhe mugëtira e kohës.
Por sa u befasua dhe u gëzua kur lexoi një poezi të mrekullueshme të Martin Camajt për Prespën. Martin Camaj me poezinë e tij sa klasike aq edhe moderne, me tone simbolike, simboliste, me një gjuhë ku është edhe filozofia e linguistit dhe metaforat në formë katarakti të poetit, na ka dhënë tek poezia pejzazh-meditative “Prespa” një nga kulmacionet e tij poetike:
Në liqen të Prespës
Përpiqen dielli dhe hana
Mbrëmjeve verore në ujë
Ai bashkim i rrezeve
Dashunia e dy palë duarve
Më gishta të kapërthyem
A shmallimi i peshqëve
Në më të shkëlqyeshmin shtrat
Hana rrin, dielli shkon….
Dikush e ka krahasuar Martin Camajn me poetë të tjerë të huaj dhe të vendit nga tradita. Por Martin Camaj është vetvetja. Edhe ku na jep këtë çast idilik të njeriut dhe natyrës në një mbrëmje vere “dy palë duar me gishta të kapërthyer”.
Por aty “në shpalimin e peshqve” shpejt fillon kontrapunkti i poetit, midis çastit dhe historisë:
Në Liqe të vjetër të Prespës
Kqyrn shkambijtë e kuq
………………
Prespa-një kalë i egër
Shkund prej vitheve
Kështjellë e qytete
E tash pushon nën hanë
Prespa-grua e gjanë pjellore
Prespa-grua lehonë….
…Që të mos zgjojnë pronarët e motit
Fjetur nën gur si gjarpërinj…
Është privilegj i poezisë së madhe që në pak rreshta, në pak penelata të na japë edhe të bukurën, të papërsëritëshmen, edhe fisniken, por edhe frikën, ankthin dhe makthin, misterin në liqenin e jetës dhe të historisë…
E ja, këtu si një kumt vjen detaj e futemi në shtëpinë e një argjendari e me anë të poetit shohim tej e përtej mureve të saj:
Para tyne tue punue Bal Mjeshtëri
Argjendar në zë
Gërmuç mbi tryezë…
Në terr mbi shpinë fle nusja
E zbulueme deri në brez
…Në votër zjarri shkrin
Argjendin ndër vorbulla
Duke shkrirë arin dhe argjendin në vorbull poeti krijon këngën dhe historiani thur ligjëratën e tij. Libri po bëhet gati. Dhe Prespa pret bukurinë dhe historinë, aty.
…Aty në Liqe të vjetër të Prespës
Ku përpiqen dielli dhe hana…
Poeti dhe historiani, Martina Camaj dhe Vasil Sterjovski, hana dhe dielli ne liqe të vjetër të Prespës…
Elizabeta Luli (Anxhaku)