Kjo intervistë e Vasil Sterjovskit është marrë nga libri “Ec pas këtij njëriu” të autorëve Donika Anxhaku dhe Zenel Anxhaku.
Vasil Sterjovski është një intelektual i njohur në Korçë në përgjithësi e në Prespë në veçanti. Si historian ka botuar një sërë shkrimesh për historinë dhe kulturën. Me të zhvilluam këtë bisedë interesante për veprën letrare e shkrimtarit të shquar Sterjo Spasse.
Pyetje-Përgjigje nga Vasil Sterjovski
-A mund të ndalemi më gjatë tek Libri “Kuvendim me nipin”? -NJË LIBËR UNIK EPISTOLAR -Libri “Kuvendim me nipin” i Sterjo Spasses-
PËRGJIGJE: Kur publicistika bashkohet me Artin, me eposin e gjerë të figurave, me imagjinatën, imazhin dhe simbolikën krijuese, jepet një aliazh i tillë që zë vend mirë në zemrat dhe shpirtrat e lexuesve dhe mesazhet mbeten sa aktuale aq dhe të lidhura nëpër brezat.
Libri “Kuvendim me nipin” (Nga Maqedonia dhe Kosova më 1975 u botua në vitin 2000 nga shoqata-kulturore, “Sterjo Spasse” me redaktor Ilinden Spasse është shembull klasik i shkrimtarit qytetar që me penën e tij është një urë e fuqishme që bashkon zemrat njerëzore, të mirëkuptimit dhe të bashkëjetesës së kombit.
Libri hapet me parathënien e “bashkëbiseduesit të heshtur”, nipit të shkrimtarit Arianit.
Dalëngadalë po mbushen dhjetë vjet që kur im gjysh mbylli sytë përgjithmonë duke i dhënë fund një bisedimi material të nisur 18 vjet më parë. Biseda nisi ashtu siç nisin zakonisht bisedat midis gjyshërve dhe nipave të porsalindur, me përkëdhelira, fjalë të embla qortime dhe ndonjë tërheqje veshi, por më 1975 ajo ndërroi përkohësisht formë: Një udhëtim punë në Maqedoni dhe Kosovë bëri që biseda të merrte formën e letrave dërguar nipit katër vjeçar ose “bashkëbiseduesit pa fjalë”
Duhet të isha rreth 13-14 vjeç kur nisa të lexoi seriozisht letrat e sistemuara të një libri të madh e të rëndë me kapak gri”.
Dialogu epistolar nis në Kalishtë në Hotel Restorant “Biser më 13 mars 1975, është letra e parë: “Kjo është letra e parë që po të shkruaj ty dhe letra ime e parë nga Maqedonia… Unë vendosa gjatë këtij udhëtimi të bisedoj me ty, me anën e këtyre letrave të cilat ti do t’i kuptosh dhe do t’i ndjesh….
… Kam arsye që të kem një ngazëllim të tillë: Unë vij në Maqedoni për tu njohur me vendet historike, ku janë zhvilluar ngjarje me shumë rëndësi të historisë të rilindjes shqiptare dhe maqedonase…
Ky material i gjerë do të më hyjë në punë për të vazhduar së shkruari ciklin e romaneve “Rilindësit”.
Bleta e artë krijuese e quajtur Sterjo Spasse, ishte nisur për në shtegtim, për të vjelë nektarin krijues dhe për të realizuar me të hojet e kapitujve të romaneve të tij me temë historike. Këto fluturime orientuese kërkuese dhe mbledhëse të kësaj blete të artë do të jepnin prodhimtari të begatë.
Në letrën e dytë shkruar me 16 mars 1975, midis të tjerave Sterjo Spasse shkruan: “Atë pasdreke e kaluam në Bibliotekën e Institutit. Pastaj punuam në Bibliotekën Kombëtare të Universitetit “Klement Ohriski”.
Në hyrje sikur na bekoi vetë Shen Klementi ngritur në Monument …”
Në këtë letër shkrimtari Sterjo Spasse flet edhe për pritjen e ngrohtë të njerëzve në Maqedoni.
Në këtë lagje papritur dhe pakuptuar Vlladoja na ftoi për “një kafe” në shtëpinë e vet. Fisnikërisë së tij ju përgjigjëm me fisnikëri: Bleme ca mollë dhe ca limone e shkuam. Banonte në një nga pallatet e reja, në katin e pestë.”
Në këtë letër flet edhe për vendet historike, muzetë, urat, manastiret etj.
“U ndalëm tek çardhaku, nja njëmbëdhjetë kilometra larg Shkupit. Këtu është monumenti i Shën Ilisë, një manastir i vjetër… Por konakët e tij janë përshtatur dhe kanë bërë një restorant të stilit popullor maqedonas, një vend që e vizitojnë shumë, jo vetëm të huajt, por edhe vendasit”
Letra e tretë është shkruar më 18 mars 1975 dhe midis të tjerave shkrimtari shkruan: “Sot patëm një takim interesant me rektorin e universitetit të Shkupit, me akademikun Dimitër Mitrea.
…Rektori na priti me dashuri dhe dëlirësi zemre.
“Gjatë këtyre tridhjetë vjetëve çlirim Mitrea me pasion dhe aftësi shkencore, ka shkruar shumë punime, si kritikë letrare, ashtu edhe ese historike…
…Unë kam ndjekur zhvillimin kulturor dhe shkencor të Maqedonisë, tani që kam ardhur shoh me sy dhe prek me dorë: Në këta tridhjetë vjet maqedonasit kanë punuar me vetëmohim, pasion dhe stërmundim, pa patur ndonjë traditë të pasur të trashëguar… Pra maqedonasit në këta tridhjetë vjet kanë provuar katërcipërisht ekzistencën kombëtare të tyre”.
Si në një mozaik shumëngjyrësh nëpër letrat vijnë mbresa, përshtypje, konkluzione dhe meditime.
Letra e katërt është shkruar më 19 mars 1975 e këtu Sterjo Spasse midis të tjerave shkruan: “Eshtë rasti të theksoj edhe një intimitet familjar. Duhet ta dish se babait tënd ja kam vënë emrin Ilinden i frymëzuar nga kjo kryengritje e madhe dhe heroike, që vazhdoi vetëm disa jave”.
Kurse në letrën e pestë të shkruar më 20 mars 1975, ai shkruan nga Bitola: “Po të shkruaj me ngut nga Manastiri apo nga Bitola siç e quajnë bashkëfshatarët tanë se sa të mbaroj këto shënime për ty do të nisem për në Prespën tonë”.
Sterjo Spasse në këtë korrespondence madhore shkruan me stilin e publicistikës dhe të letërsisë artistike, kështu që letrat e tij kanë edhe vërtetësinë kronologjike të gazetarisë, edhe forcën krijuese të letërsisë. Duke gjurmuar letër pas letre, vëmë re se të gjitha së bashku ato krijojnë një letër të posaçme drejtuar ardhmërisë.
Duke përdorur teknikën e epistolarit, me një gjetje të veçantë, Sterjo Spasse i ka dhënë gazetarisë bukurinë e artit dhe artit vërtetësinë e një gazetarie objektive.
“Jam pra në Shirok Sokak. Shohim në vendin ku ka qenë qendra e Valiut, por tani është bërë shesh. Vetëm se aty buzë lumit Dragor ka mbetur kulla me orën e madhe që ka numëruar shekuj më shekuj rënkimet, dhimbjet e këtij populli”.
Aliteracioni i jep muzikalitet prozës dhe fjalët mbeten me mënd të bukura dhe harmonike.
Vizitat në vendet historike e frymëzojnë më të drejtë shkrimtarin e njohur.
“Pak më sipër shohim edhe ndërtesën e shkollës “Idadije”, sot gjimnaz maqedonas. Në këtë ndërtesë ka dhënë mësim në lëndën e matematikës dhe të fizikës një nga patriotët më të shquar, Bajo Topulli, themelues i komitetit shqiptar për çlirimin e Shqipërisë. Në këtë shkollë kanë studiuar shumë nxënës shqiptarë që u bënë patriotë të mirë si Qamil Panariti i cili në vitin 1911, si kapedan i çetës së tij u ndesh me asqerët osman në Orman Çiflig të Korçës”
Të ndjeshme janë ato rreshta dhe faqe kur shkrimtari i madh, Sterjo Spasse, shkruan për historinë e tij familjare nipit të tij nëpërmjet letrave: “Te kam shkruar më parë se deri në vitin 1932 familja jonë përbëhej nga 40 veta. Mendo: 40 vetë rreth vatrës. As me ujë nuk ngopesh dot pa le me bukë. Meqenëse gjyshi Niço ishte plakur, komandën e shtëpisë e mori babai dhe nëna si më e vjetër. Fjala e babait ishte urdhër për tërë meshkujt, fjala e nënës ishte urdhër për tërë femrat.
Ne kishim pak ara që punonim dhe ato më tepër skerka, ato ishin të beut. Se fshati ynë ishte çiflig i bejlerëve…
Babai ishte njeri i gojës. Familja jonë bukë nuk bënte as per tre muaj. Mbeteshin edhe nëntë muaj të tjerë. Babai kishte shoqëri të madhe. Për të rregulluar ekonominë meshkujt e shtëpisë i shpërndante në punëra të ndryshme. Ndonjë e dërgonte në kurbet, ndonjë në mal për qymyr, një tjetër me bagëtinë e kështu me radhë.
Tragjedia e kurbetit për familjen tonë ka qenë tragjedi e bukës. Kurbeti rrëmbeu tërë xhaxhallarët. Edhe babanë. Babai dy herë vajti në Turqi, në Stamboll, një vit në Greqi dhe dy herë në Amerikë, Xha Tonçoja në Amerikë dhe Argjentinë. Mirëpo kurbeti i shkretë… Rrinin sa rrinin dhe ktheheshin përsëri në fshat, të varfër, mezi arrinin të paguanin navllonë e kthimit.”
Duke shfrytëzuar teknikën e epistolarit, autori shkruan thjeshtë, por qartë, konçiz e fjala vete drejt në shpirt. “Gjyshi, Niçoja punonte arat me një parmendë druri. Shpesh shkoja edhe unë me të për hequr qetë në brazde…”
Sterjo Spasse vazhdon të tregojë historinë familjare thjeshtë dhe qartë, një poemë për bukën e gojës, me dhimbje dhe dashuri për jetën…
“Kur u rritën djemuria, në vitin 1920, babai dërgoi në Amerikë kushëririn Nasto, të birin e xha Llazos që kish vdekur. Në vitin 1924 u kthye nga Amerika për tu martuar” Por tregimi i ndjerë i jetës është edhe realist: “Gjithnjë lidhur me bukën e familjes, Kushëriri Nasto na la grindje në shtëpi. Ai e kritikonte babanë se nuk i rregullonte mirë punët e shtëpisë, se duhej të linte të gjithë të punonin si të donin pa marrë parasysh gjendjen ekonomike”
Pse Sterjo Spasse ndalet kaq gjatë në historinë e tij familjare?
-Sepse ai dëshiron që nipi i tij Arjani ta njohë gjerë dhe thellë këtë histori që është një histori dhimbjeje, pune, lotësh dhe dinjiteti.
“Unë asaj vere të vitit 1927 do të shkoja në Korçë për të plotësuar disa dokumente për në shkollën normale të Elbasanit…. Në Elbasan vajta me një kamion i shoqëruar me një mik të babait. Ai ishte duhanxhi në Korçë, por familjen e kishte në Elbasan.
Unë nuk e dija se ky udhëtim ishte edhe hapi im i parë që hidhja në botën e gjerë, duke çarë botën e ngushtë dhe patriarkale të fshatit”.
Se Sterjo Spasse u fut në botën e madhe të arsimtarëve dhe të botës së letrave.
“Edhe në Korçë mes arsimtarëve, mua më cilësonin si një nga më të mirët, madje fill pas një viti më emëruan drejtor shkolle fillore nr 1 në Mitropoli. Mendo ti, drejtor shkolle, një djalë nga shulet”.
Po djali nga “shulet” do të ngjitej lart dhe më lart në botën e shkollës dhe të artit, duke u shndërruar në një emër të madh ndriçues.
Tani teksa lexojmë këtë lum të artë letrash treguar të nipit, kuptojmë pse janë kaq të pasur më lëng jete romanet e shkrimtarit që nga “Pse”, “Ata nuk ishin vetëm”, “Afërdita përsëri në fshat” dhe sidomos cikli “Rilindasit”.
Një roman më vete jete është ndarja e shkrimtarit me të vëllanë që niset për në kurbet dhe nuk kthehet më…
“Qëlloi që atë vit as skërkat e arave që punonim nuk na dhanë ndonjë gjë të madhe. Stojani natën shkonte për të zënë peshk buzë liqenit dhe kthehej në mëngjes i pagjumë, i pikëlluar dhe pa asnje peshk… Ndaj ju mbush mendja gjallë a vdekur, të kthehej përsëri në Australi.
…Nga Zvezda me veturën që kisha porositur me kohë shoqërova Stojanin deri në kufirin grek, deri në Kapshticë të Bilishtit.
Ishte ora 8.15 minuta e datës 3 gusht 1937 kur u përqafuam për herë të fundit me vëllanë, qame të dy shumë.
Kur i hipi vaporit për në Amerikë më 27 gusht 1937, ditë e premte, ora 9 paradreke, në Gollomboç lindi e bija Cveta, teta Cveta jote… Që atëherë që nga viti 1937, 38 vjet plot ai nuk është kthyer në shtëpi. E bija Cveta është rritur midis nesh pa baba duke e patur babanë, por pa e parë kurrë. Stojanica ka jetuar midis nesh si grua e martuar, por pa burrë”.
Keto drama të jetës, sa familjare aq edhe shoqërore Sterjo Spasse do t’i trajtonte në krijimet e tij si perla të vërteta të jetës dhe artit. Si epilog i kësaj drame familjare shoqërore do të ishin përsëri valet e liqenit.
“E ndërpres letrën një copë herë dhe dal në ballkon. Eshtë shumë vonë. Qielli dhe lindja ishin me re të grisura dhe hëna si një nuse e turpëruar ma çel dhe ma mbyll synë e saj përmes reve. Rrezet e saj bien mbi sipërfaqet e ujërave dhe mua më duket sikur vënde vende nga liqeni burojnë flakë të zjarrta…”
“Kuvendimi me nipin është një vepër unike publicistike artistike me plot zanafilla romanesh, novelash dhe tregimesh që Sterjo Spasse i kish në labirintin e tij artistik krijues.
Po kaq kumbuese me mesazhe të qarta artistike e qytetare janë edhe letrat e udhëtimit në Kosovë ku Sterjo Spasse me fjalën e tij të rrallë shpalos historinë, folklorin, etnografinë e Kosovës me dashuri, në një kuvend të madh të dijes së vërtetë, nëpërmjet fjalës së gjallë e kronikave.
Në krijimtarinë e shkrimtarit të shquar, libri Kuvendim me nipin është një kurorëzim artistik, i jetës dhe i krijimtarisë, me mesazhe jete dhe arti, i përshkruar në çdo faqe dhe kapitull nga humanizmi, shpirti i progresit iluminist…
2- Ç’mund të na thoni për krijimtarinë me tema legjendat dhe jetën në Prespë?
PËRGJIGJE-TË FALA NGA NJË THESAR KRIJUES
Libri i katërt i veprës së plotë të shkrimtarit tonë të mirënjohur me origjinë maqedonase, Sterjo Spasse, është i veçantë për lexuesin e Prespës. Në të përfshihet përmbledhja me tregime për nxënësit e shkollave: “Të fala nga fshati” dhe “Sokolesha”, legjenda për të rinj.
Të dy librat, brumin e tyre krijues e kanë marrë përgjithësisht nga zona e Prespës nga i cili janë kryesisht jo vetëm si tematikë por edhe peizazhet, personazhet, atmosfera jetësore madje edhe adresa konkrete e protagonistëve të epistolarit në librin e parë dhe të legjendave në librin e dytë.
Për të ndërtuar një libër sa më frymëzues dhe sa më edukativ, për nxënësit e shkollave, Sterjo Spasse i cili përveçse është një shkrimtar i shquar cilësor, është edhe një pedagog dhe studiues i pedagogjisë, gjen një lloj të veçantë komunikimi midis personazheve.
Ai merr letërkëmbimin, shkrimtari merr një nxënës të klasës së shtatë në shkollën “Kristoforidhi “në Tiranë, Sokol Skënderasi, dhe Ylli Tokallari, nxënës në klasën e shtatë të shkollës “Partizani” në Tuminec.
Midis nxënësit Sokol Skënderasi në Tiranë dhe Ylli Tokallarit në Prespë zhvillohet një letërkëmbim i pasur dhe i frytshëm.
Letrat shpalosin së pari personazhet dhe familjet e tyre. Janë vitet e para pas çlirimit dhe këto letra shërbejnë edhe si një dokumentar për Prespën në ato vite. Në letrën e parë nxënësi nga Prespa prezantohet: “Unë jam biri i Jani Tokallarit. Nëna ime quhet Eleni ose Lenke siç e thërret gjyshja. Ajo merret me punët e shtëpisë, punët e bujqësisë. Në shtëpi, kemi gjyshin Stefanin. E di sa plak është?
Besa, të rrallë i ka shokët këtu….
“Punët e fshatit janë të rënda. Ai lëron, mbjell dhe korr. Nuk themi se punon vetëm gjyshi. Edhe nëna nuk është e pakët…. Harrova të të them se kam edhe një gjyshe që më do shumë, gjyshe Maroja.. .”
Në letrën e parë Ylli Tokollari i përmend të gjithë pjesëtarët e shtëpisë, nuk përmend vetëm babanë. Do të duhej letra e dytë që Sokol Skënderasi në Tiranë dhe të gjithë lexuesit të marrin vesh se babai i Ylli Tokallarit është një dëshmor i luftës antifashiste nacional çlirimtare.
Duke përdorur epistolarin e dy nxënësve shkrimtari i mirënjohur Sterjo Spasse na njeh gjerësisht me jetën e fshatarëve të Prespës në ato vite të para të lirisë, punën në fshat, bisedat e protagonistëve të kohës, ngritjen e kooperativës bujqësore, ekskursionet në mal, punët në kullotat dhe në stanet, këngët e bukura folklorike të zonës etj. Sokol Skënderasi, djalë i kryeqytetit do të njihet kështu gjerësisht me jetën e fshatit, me jetën e Prespës dhe të bashkëmoshatarit të tij aty.
Në pjesën e dytë të librit të katërt të kolonës me vepra të zgjedhura të Sterjo Spasses me titullin “Sokolesha” jepen legjendat për të rinj dhe kryesisht me tematikë nga Prespa ku spikasin legjendat më të bukura të Prespës.
Ndërthurja në një libër siç është novela e gjatë epistolare “Të fala nga fshati” dhe ku flitet gjerësisht për ngjarjet e ditës, për jetën aktuale me mitet dhe legjendat, ka një kuptim domethënës: Brenda një libri jepet Prespa e ditës, por edhe Prespa e mitit dhe legjendës.
Me një gjuhë të pasur plot me figuracionin e zonës, me fjalët e rralla, të arta, me alegoritë dhe bukuritë e natyrës, libri përbën një tablo të plotë të Prespës.
Vetë “E bukura e Prespës” është një rrëfenjë e përpjekjeve legjendare të këtij populli për liri dhe pavarësi, një poemë e bukurisë shpirtërore e njerëzve të thjeshtë, e virtyteve të tij humaniste dhe progresive.
Sterjo Spasse ka shkruar shumë për Prespën. Ndoshta më vonë, në kohën e duhur do të paraqitet një libër “Prespa dhe Sterjo Spasse”.
Por mendoi se janë të gjitha kushtet e mundësitë që vepra e plotë e shkrimtarit tonë të mirënjohur të mund të ribotohet së bashku me jehonën e veprave të tij. Në procesin krijues të Sterjo Spases gjithmonë është alternuar dhe bërë një, mësuesi dhe shkrimtari. Në vëllimin e parë të veprave të tij të zgjedhura shkrimtari, në një interviste midis të tjerave ka shkruar “Si mësues që kam qenë për një kohë të gjatë të jetës sime, edhe si shkrimtar i moshuar më lejohet t’ju jap disa këshilla shkrimtarëve të rinj: dashuria, urrejtja dhe të njohurit.”
Ky trinom me themel Prespën e tij të dashur do të përbëjë kredon e tij poetike, trinom të procesit të tij krijues. Me një trinom të tillë ai krijoi veprat e tij madhore “Ata nuk ishin vetëm” që është një poemë e shpirtit liridashës të kësaj zone.
Në thesarin e kujtimeve të Sterjo Spasses janë edhe këto dëshmi: “Në fshatrat tona ishte përhapur mandata. Goricarët e kishin humbur përfundimisht gjyqin që kishin ngritur për të mos njohur Maliq bej Frashërin si pronar të fshatit të tyre. Maliq bej Frashëri me ndihmën e qeverisë e të oborrit mbretëror do ti përzinte tani fshatarët nga çifligu dhe ata le të mbeteshin në hije po të donin. Fshatarët e kësaj zone që ishin pothuajse të gjithë nën kthetrat e bejlerëve dhe fajdexhinjve të Korçës, u tronditën”. Që këtej fillon tharmi për romanin e tij më të spikatur social “Ata nuk ishin vetëm”. Personazhet ishin aty, konflikti ishte aty, duhej vetëm që pena e shkrimtarit të vihej në lëvizje me frymëzim dhe vepra të realizohej. Përpara shkrimtarit u ngritën këto pyetje: “Si ishte e mundur që një goxha qeveri me një goxha mbret të mund të lejonte që beu të shkulte nga vatrat shekullore një fshat të tërë dhe ata i flakte në mes të katër rrugëve? As në kohën e halldupit nuk ishte ngjarë një gjë e tillë.”
Në këtë pikë procesi krijues i Sterjo Spasses bëhet inkandeshent dhe vetvetiu rebelimi intelektual krijues merr krahë duke ngritur në këmbë një atmosferë proteste nëpërmjet kujtimeve dhe pastaj në krijimtari.
“Dhe vërtetë, pas disa ditësh, Korça e tërë u ngrit në këmbë nga klithma përpara Prefekturës, përballë Shëngjergjit, korçarët panë gra, plaka, fëmijë të lebetitur e këmbëzbathur që kërkonin drejtësi, që ulërinin dhe qanin, duke u përleshur me xhandarët. Ishin gra dhe fëmijët e fshatarëve të Gorricës që kishin bërë një udhë prej 12 orësh në këmbë, nga fshati në qytet për të kërkuar të drejtat e tyre. Dhe në atë ditë jo vetëm Korça, por edhe e tërë Shqipëria e mar vesh këtë revoltë të madhe: krenari dhe heroizëm fshatar, turp dhe krim i regjimit-se u detyruan të shkruanin për këtë demonstrate të fshatarëve të Gorricës, gjoja shtyrë nga element turbullues, edhe të dy gazetat e qytetit “Gazeta e Korçës” dhe “Zëri i Korçës”.
Tablo me të vërtetë ngjethëse, rembrandeske të cilat në filtrin e shkrimtarit do të ktheheshin në personazhe artistike, në vepër artistike.
“Si përgjigje të demonstratës së grave, të kalamajve dhe rezistencës shumëvjeçare të fshatarëve regjimi i Zogut dërgoi dyqind xhandarë të armatosur, të cilët me forcën e armëve, të drurit dhe të zullumeve të turpshme, i shkulën fshatarët goricarë nga vatrat e tyre shekullore dhe i nxorën në të katër udhët me kuç dhe me maç. Fshatarët braktisën vendlindjen e tyre të dashur e u shkoqën si rëra, por nuk u përkulën”.
Tek lexon “Ata nuk ishin vetëm” sot tablo të tilla kompozicionale i rigjen artistikisht, me forcën e dritës së krijimtarisë së pavdekshme.
Një art që e merr forcën nga toka i ngjan Anteut, është i bukur dhe i madhërishëm.
Shkrimtari me të drejtë ka thënë: “Personazheve të mia pozitive qoftë të tregimeve, qoftë të romaneve, u rrihte zemra nga dashuria për popullin, për të varfrit dhe për të shtypurit. Për paraqitjen e këtyre personazheve mbi mua kanë ndikuar shumë faktorë: Faktor objektiv dhe kryesor ishte krahina-sot lokaliteti i Pustecit në rrethin e Korçës.”
Prespa dhe Sterjo Spasse janë dy enë komunikuese ku vuajtja, hallet, gëzimet, tërë jeta e një ane kalonte në anën tjetër në mënyrë artistike, nëpërmjet mesazhit artistik, nëpërmjet shprehjes në art. Këtu qëndron forca, origjinaliteti dhe vitaliteti krijues i këtij shkrimtari të madh.
Kur flasim për procesin krijues të një shkrimtari si Sterjo Spasse na vjen menjëherë ndër mënd liqeni i bukur dhe i pastër i Prespës, pamjet piktoreske të paharruara. Në këtë proces krijues, këtë bukuri të rrallë të natyrës krahas bukurisë shpirtërore të kësaj zone ndërthuren natyrshëm në vlera estetike në penën e shkrimtarit të shquar me origjinë maqedonase Sterjo Spasse, bir i këtyre anëve dhe njëherësh mësues i shquar.
…Një derë hapet, jeta e stuhishme me vuajtje me mungesa dhe dhimbje…Një derë tjetër hapet, dera e Artit të vërtetë…
PYETJE-A mund ta vazhdojmë bisedën me romanin “Pse” dhe me personazhin e tij, Gjon Zaveri?
PERGJIGJE: BASHKEBISEDIM ME GJON ZAVERIN
“Fill i vetëm po qëndroi brenda në dhomëzën time. Ora është dhjetë mbas darke dhe një errësirë e frikshme ka mbuluar katundin. Valët e shkumëzuara të liqenit përhapin me ulërimë zhurmën e tyre…”Kështu e fillon bashkëbisedimin e tij Gjon Zaveri më 1 tetor 1930 në romanin “Pse” të Sterjo Spasses. Ai është një intelektual i mësuar, i lindur në një ambient fshatarësh, por bota e tij është ajo e librave.
Ai ka lindur në këtë ambient fshati. Por prindërit e tij dhe gjithë familja ka punuar fort që Gjon Zaveri të arrinte të bënte një shkollë të mirë. Por atë e ka pushtuar dëshpërimi dhe kotësia e ekzistencës. Faqet e ditarit të tij janë të mbushura me përsiatje librash.
Gjon Zaveri është një përfaqësues i shtresës intelektuale të shkëputur nga populli. Ai vështron vetëm brenda vetes se vet, jo jashtë, jo në katund, jo në qytet. Gjon Zaveri megjithëse ka një punë, është i shkolluar, nuk është i lumtur në jetë.
Prindërit mendojnë që sipas traditës ta martojnë më një vajzë fshati: Por Gjon Zaveri i kundërvihet kësaj tradite. Në përgjithësi ai i kundërvihet një tradite, por edhe vetë nuk ka krijuar një traditë. Gjon Zaveri shkon edhe në qytet. Por as në qytet ai nuk e gjen vetveten.
Faqet e ditarit të Gjon Zaverit janë jashtë kohës, por brenda shtresës që përfaqëson. Jeta e tij është tragjedia e tij “Ne këtu jemi me miliarda dhe miliarda krijesa që luajmë role të ndryshme në teatër, kurse Ai, i madhi është vetëm Një shikues teatri. Tani është marrëzi të marrësh me mënd teatrin që quhet botë. Është marrëzi të shpjegosh me ngjarje të gjitha pamjet e këtij teatri vigan, marrëzi është të zësh në gojë aktorët e ndryshëm të këtij teatri hyjnor”.
Por në këtë teatër hyjnor Gjon Zaveri nuk do t’ja dijë për mijëra dhe mijëra personazhe të tjerë, madje ai nuk dëgjon edhe zërin e traditës në atë katund të varfër ku është lindur dhe është rritur dhe nga ku ai ka marrë mbështetjen për tu futur në botën e librave. Por a ka vlerë bota e librave kur shkëputet nga bota e gjallë, nga ai teatër dramatik dhe plot vitalitet, nga ai auditor i shqetësuar i kohës dhe hapësirës? A ka vlerë vetja kur shkëputesh nga bota, nga komuniteti, nga fshati, kur shkëputesh nga rrënjët e tua?
Këtu qëndron drama apo tragjedia e Gjon Zaverit. Ai nuk e kupton se duke u mbyllur në botën e librave, kthehet në një Don Kishot por që ndryshe nga Don Kishoti ai nuk e ka atë marrëzinë e tij optimiste, por ka një filozofi të mbyllur fataliste.
Po kë na sjell ndër mënd më së pari Gjon Zaveri shqiptar në letërsinë e madhe të përbotshme?
-Na sjell ndër mënd djaloshin Verter me vuajtjet e tij të vizatuar përjetësisht nga Gëte.
Por Gjon Zaveri shqiptar është i suksesshëm dhe origjinal në botën tonë letrare se ai është krejtësisht shqiptar, madje ai lokalizohet më tej, ai është një nënshtetas shqiptar i një fshati maqedonas buzë liqenit, në buzë të kufirit që flet edhe një gjuhë tjetër nga shqiptarja, maqedonase.
Ai përjetoi nga larg luftën e bashkëfshatarëve të tij, një luftë gjyqësore dhe plot kurajë qytetare kundër një beu që kërkon ti nxjerri nga tokat, nga pylli, nga ekzistenca.
Gjon Zaveri nuk ka fuqi të lidhet me këtë revoltë e qëndresë fshatare. Ai bën mënjanë. Ai fshihet pas librave. Ai fshihet pas frazave dhe citateve. Ai nuk vepron, por tjerë fjalë dhe fraza. Ai mbetet një skllav në fortesën prej letre të këtyre frazave që kthehen në nekrofile sepse në fund të fundit ju kundërvihen jetës.
Edhe kur shkon nga fshati në qytet, ai mbyllet në botën e frazave të filozofisë shterpe dhe kthehet nga djepi i tij, në varrin e tij.
Mbyllja në vetvete, fshehja pas një kulture shterpe kinse në emër të kulturës e kthen në fakt Gjon Zaverin në një pengesë të kulturës përparimtare të kohës.
A është Gjon Zaveri vetë autori? Pse ky roman pati sukses dhe mbetet i suksesshëm jo thjeshtë si romani i parë shqiptar me teme sociale, por dhe me vlera artistike të pamohueshme, madje të konsoliduara.
Gjon Zaveri është dhe nuk është autori: Ose më mirë ai është një pjesë e vogël e rrugës së gjatë krijuese të këtij autori të madh e të paharruar.
Në botimin e gjashtë të romanit të shquar “Pse” botuar në vitin 1995, nga shtëpia botuese “Ardita” botuar nën kujdesin e të birit, Ilinden Spasse, një tjetër figurë e spikatur pedagogjike, në fund të librit jepet edhe një kronologji e jetës dhe veprës së shkrimtarit, një kronologji e menduar mirë dhe që flet shumë.
Duke lexuar këto shënime për autorin mësojmë se Sterjo Spasse ka lindur më 14 gusht të vitit 1914 në fshatin Glloboçeni (Gollomboç) të Prespës, në rrethin e Korçës.
Pra ai lindi në një vit trazirash, në vitin e quajtur “të mbrapshtë”, në vitin 1914, por në gusht në një vit të korrash. “Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Korçë, ndërsa shkollën e mesme në Normalen e Elbasanit, më 1932.”
Pra shkollën e mesme e ka mbaruar në shkollën më të mirë të arsimit shqip, të krijuar, projektuar dhe realizuar nga iluministe të mëdhenj si Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Aleksandër Xhuvani, Salih Ceka etj me një gazetë të njohur si “Normalisti “.
Romani “Pse” u botua në vitin 1935, pra i bie që një pjesë e ketij romani ta ketë shkruar që në bangot e shkollës së mesme e pastaj gjatë punës si mësues: “Punoi për një kohë të gjatë si mësues në Derviçan dhe Gjirokastër, në Voskopojë, në Korçë, Tiranë si inspektor i Ministrisë së Arsimit dhe më vonë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pastaj u trajtua si shkrimtar në profesion të lirë. Vitet e fundit doli në pension.”
Po ta vësh re me kujdes puna administrative e Sterjo Spasses varion në poste të tilla të mësuesisë dhe të njeriut të letrave, gjithmonë në kërkim të dritës e të së vërtetës krijuese.” Është ndër themeluesit e revistës “Normalisti” (1929-1937), ka hapur dhe ka mbajtur rubrikën e arsimit në revistën “Bota e re” (1936-1937) ka qenë redaktor i revistës “Shkolla shqiptare” (1942) ka qenë ndër themeluesit e parë të revistës pedagogjike pas çlirimit “Shkolla e re”, “Arsimi popullor” dhe revistës “Literatura jonë”, “Nëntori” etj.
Siç e shohim përveç botës krijuese të letërsisë artistike Sterjo Spasse ka qenë vazhdimisht i pranishëm dhe krijues edhe në botën e gazetarisë dhe kjo na bën të mendojmë se ai ka ditur të dalë nga bota e mbyllur e Gjon Zaverëve, është ndeshur, është përplasur dhe ka perceptuar dhe përvetësuar në mënyrë krijuese realitetin për ta përcjellë artistikisht në procesin e veprimit të tij artistik.
Veprimtaria krijuese e Sterjo Spasses është e larmishme. Ai filloi të shkruajë që në bangot e shkollës normale të Elbasanit. Më 1932 botoi monografinë “Prespa e vogël”. Vini re, veprimtaria krijuese e Sterjo Spasses ka nisur me një monografi, gjini midis publicistikës dhe letërsisë artistike, kushtuar vendit të tij të lindjes.
“Vazhdoi me tregime të shkurtra dhe novela. Botoi rreth pesë vëllime me përmbledhje tregimesh….
…Por ato që e bënë të njohur emrin e tij si në mjediset intelektuale ashtu edhe në ato të popullit janë romanet “Pse” 1935, “Afërdita” 1944, “Ata nuk ishin vetëm” 1952 “Afërdita përsëri në fshat” 1954, “Buzë liqenit” 1965, “Zjarre” 1972.
Në vitet 1970 ju fut një pune tepër të madhe duke shkruar një cikel romanesh për periudhën e Rilindjes me titullin Rilindasit ku bëjnë pjesë romanet “Zgjimi” 1973, “Pishtarë” 1975, “Ja vdekje, ja liri”1978 “Kryengritësit” 1983 dhe “O sot o kurrë 1989.
Gjithë kjo punë viganësh në fushën e krijimtarisë artistike dhe të publicistikës asnjëherë nuk u nda dhe nga puna didaktike pedagogjike.
“Në fushën e pedagogjisë veç shkrimeve pedagogjike ku një pjesë fare e vogël e tyre u botuan në librin “Reflekse pedagogjike” ka botuar edhe rreth 13 vepra të tjera që janë tekste shkollore si “Antologji për shkollat shtatëvjeçare dhe të mesme”, “Gramatikë e gjuhës shqipe”, “Letërsi e huaj”, “Teori e letërsisë” etj.
Kontribut të madh Sterjo Spasse ka dhënë që në vitet e para të pasçlirimit veçanarisht për redaktimin e teksteve shkollore të komunitetit maqedonas në Shqipëri, autori i të cilëvë ishte Nikolla Berovski.
Po si përkthyes?
“Në fushën e përkthimeve, veç tregimeve dhe poezive të shkurtra ai përktheu romanet “Të mjerët” e Viktor Hygojt 1935 “Kasollja e xha Tomit” të Harriet Stout “Nën zgjedhë” e Ivan Vazovit, “Nusja ” të Karasllavovit dhe vëllimin me tregime “Albena” të Jordan Jakovit.
E kush më shumë se Sterjo Spasse mund të ketë lënë një trashëgimi të tillë të pasur në disa fusha?
Dhe e gjithë kjo krijimtari erdhi pas botimit të romanit “Pse” 1935 dhe botimit të romanit të përkthyer “Të mjerët” 1935.
A nuk ka një paralele midis romanit të shkruar prej tij “Pse” dhe romanit të përkthyer “Të mjerët”. Ka, patjetër. Sterjo Spasse ishte në kërkim të rrugës së tij krijuese, të rrugës së tij si intelektual i shquar dhe i rrugës së tij si njeri përparimtar, progresiv, iluminist.
Sterjo Spasse nuk do të zgjidhte rrugën e Gjon Zaverit. Ai me këtë performancë të shquar të botës së tij përmbledh dilemat, udhëkryqet analizon deri në imtësi botët e vetmuara intelektuale të kohës dhe nxjerr konkluzionet përkatëse për vete si njeri, krijues dhe intelektual dhe jo vetëm për vete por për të gjithë brezin e intelektualëve të kohës, për gjithë të shkolluarit. Ata nuk duhet të shqiten nga bota e tyre nga erdhën, nuk duhet të shkëputen nga komuniteti i tyre, nga rrënjët e tyre dhe pikërisht edhe aty buzë liqenit ata nuk do të ishin vetëm…
Romani “Pse” mbyllet me këtë pasazh të qartë melodramatik: Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin.
Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit. Fshatarët e varrosën me nderime të mëdha, intelektualin e tyre të vetëm, por në vetmi. Përmbi një kodër, që sundon fshatin dhe ku fryn era e paqme nga të katër anët, dhe nën hijen e një trëndafili të egër është vendosur varri i thjeshtë i të riut. Sipër nuk ka as emër dhe as datë e as shenjë por vetëm janë shkruar fjalët e tij të fundit: “Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin. Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit. Një i ri që ndoqi gjurmët e filozofëve”.
Sterjo Spasse do të varroste këtë personazh të shquar dhe do të dilte në shtigje të reja krijuese, në kuota të reja, në lartësi, për ta parë botën jo thjeshtë në vetmi, por që të zbriste që andej dhe të futej në çdo vatër njerëzore e më tej ta çonte krijimtarinë e tij të fuqishme në çdo zemër lexuesi, rrethuar nga dielli.
E megjithatë bashkëbisedimi më Gjon Zaverin nuk ka mbaruar.
Se në thelb ky bashkëbisedim është bashkëbisedim moral, etik, artistik dhe filozofik. Tani në kohën e lirisë së mendimit të lëvizjes dhe sipërmarrjes së lirë, figura artistike e Gjon Zaverit bëhet përsëri aktuale.
Figura gjithmonë e gjallë e krijuesit të Gjon Zaverit, figura e madhe e novatorit të mendimit u nis buzë liqenit, na fton të ecim bashkë me jetën dhe të futemi në gjeratoret e jetës, në lumin e madh të jetës krijuese.
©Makedonium