Bujar Osmani: Mbetemi të angazhuar në mbrojtjen dhe promovimin e veçorive etnike, kulturore dhe gjuhësore të maqedonasve në Shqipëri

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në kuadër të aktiviteteve të tij të punës më 28 korrik 2022 realizoi vizitë pune në Trebishtë, zona e Gollobordës dhe Pustec, zona e Prespës gjatë së cilës pati takim me veprimtarë të shquar dhe përfaqësues të komunitetit maqedonas dhe bartës të pushtetit lokal.

Vizita e ministrit Osmani, e dyta me radhë gjatë këtyre muajve të fundit u bë në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe shoqatave maqedonase në Shqipëri.

Në fokus të bisedimeve ishte pozicioni i komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe mbështetja e institucioneve të Maqedonisë në këtë kontekst. Ministria e Punëve të Jashtme mbetet në komunikim me komunitetin maqedonas në Shqipëri për çështjet që i shqetësojnë maqedonasit këtu dhe është e angazhuar në mënyrë aktive në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre të drejtave. Njëkohësisht dua të theksoj se kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me institucionet kompetente shqiptare, për çështje lidhur me procesin arsimor, kulturën, gjegjësisht aktivitetet për kultivimin dhe mbrojtjen e veçorive të tyre gjuhësore dhe kulturore”, theksoi Osmani pas takimit.

Ministri potencoi se do të përgatisë informacion në Qeveri dhe plan aksionar, se si Maqedonia dhe institucionet e saja mund që përmes projekteve konkrete t’u ndihmojnë maqedonasit në Shqipëri.

Siç theksohet në kumtesën e MPJ-së, në takimin me përfaqësuesit e Trebishtës u bisedua për mundësitë e ndryshimit të orarit të punës në pikën kufitare Trebishtë-Xhepishtë, si çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për maqedonasit në rajonin e Gollobordës, zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet njësive vendore në të dy anët e kufirit dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor. Osmani e theksoi iniciativën Ballkani i Hapur, që ndër tjerash nënkupton hapjen e pikave të reja ose revitalizimin e pikave kufitare ekzistuese. Potencoi se vendkalimi Trebishtë-Xhepishtë do të kontribuojë në lëvizje edhe më të madhe të popullsisë, e cila do ti përmirësojë lidhjet e përgjithshme në këtë rajon.

Vizita në zonën e Prespës, Bashkia Pustec u shfrytëzua për takim me kryetarin e partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, (AMIE) Vasil Sterjoski, dhe anëtar të kryesisë së AMIE-së, kryetarin e Bashkisë, Pali Koleski dhe drejtorin e shkollës fillore dhe të mesme, Trajan Vangelovski ku nxënësit vijojnë mësimin në gjuhën maqedonase. U diskutua për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe u shqyrtuan disa projekte në lidhje me rregullimin komunal të Bashkisë.

Në kuadër të vizitës në Pustec, Osmani vizitoi shtëpinë përkujtimore të shkrimtarit Sterjo Spasse, projekt i cili u realizua në kuadër të programit IPA të BE-së nga Bashkia e Pustecit dhe të Bitolës.

Në të gjitha takimet me maqedonasit në Shqipëri, ministri Osmani ka dërguar mesazh se Maqedonia nuk do të heqë dorë nga maqedonasit në Shqipëri dhe se maqedonasit në Shqipëri duhet të ruajnë veçantinë e tyre etnike, kulturore dhe gjuhësore.

Vizita e ministrit Osmani vjen pas regimeve të përfaqësuesve të komunitetit maqedonas në Shqipëri se po përballen me presion që të regjistrohen si bullgarë në regjistrimin e ardhshëm.

©Makedonium