Ministrja sllovene me origjinë nga Maqedonia: Kudo që jemi, duhet të jemi krenarë që kemi lindur në Maqedoni

Emilia Stojmenova Duh, doktoreshë e shkencave dhe profesore e asociuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Lubjanë, së fundmi është ministre e dixhitalizimit në qeverinë e re sllovene të kryeministrit të ri Robert Golob, si gruaja e parë maqedonase. Në të njëjtën kohë, ajo është ministrja e parë në Slloveni, e cila ka lindur dhe është rritur jashtë vendit.

Në një bisedë me Agjencinë për Diasporën, Stojmenova tha se pavarësisht se ku jemi, duhet të jemi krenarë që kemi lindur në Maqedoni dhe të mbajmë lidhje me vendin tonë. Duke besuar se kultura dhe arti janë lidhja më e fortë, ajo përpiqet të mbajë kontakte me artistët dhe kompanitë maqedonase kulturore dhe garanton se kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

– Në zyrën time do të gjeni vepra arti të piktorëve tanë. Nëse dëshironi të më takoni në Slloveni, më kërkoni në koncerte dhe shfaqje të artistëve tanë – thotë Stojmenova.

E lindur në Vinicë, Maqedoni ajo u zhvendos në Slloveni me bursë në vitin e tretë të gjimnazit. Ajo thotë se ka dashur të tregojë dhe të vërtetojë se nuk ka rëndësi se nga vini, por se me mund dhe punë mund të arrini gjithçka që dëshironi.

– Nuk mund të bëj krahasim mes arsimit të lartë në Maqedoni dhe Slloveni. Nga ana tjetër, në Slloveni marrim ekspertë të shkëlqyeshëm nga Maqedonia nga fusha të ndryshme, gjë që çon në përfundimin se arsimi i lartë në Maqedoni është në nivel të lartë. Në të kaluarën kam pasur mundësi të bashkëpunoj me kolegë nga universitetet maqedonase dhe përshtypja ishte gjithmonë e shkëlqyer. Ndoshta ndryshimi më i madh është se studentët në Slloveni kanë më shumë mundësi për bursa dhe përfitime të tjera, si bono për ushqim dhe konvikte të rregulluara mirë për studentët – thotë ministrja.

Stojmenova Duh është aktive në iniciativën “fshatrat e zgjuar” të mbështetur nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Ajo përfaqëson Slloveninë në një projekt shumë-rajonal të Departamentit të Shtetit që përzgjodhi 50 gra nga e gjithë bota të cilat janë në pozita të rëndësishme në shkencë, teknologji dhe matematikë. Ajo thotë se politika e keqe e ish-qeverisë sllovene e shtyu të hyjë në politikë.
– Fatkeqësisht, në Slloveni ishim dëshmitarë të një politike që nuk respekton të drejtat e njeriut, nuk respekton kushtetutën dhe mjetet dhe institucionet e tjera ligjore. Sllovenia, të cilën të gjithë e njohim si një vend i suksesshëm dhe i avancuar, thjesht nuk ekzistonte më dhe kështu lindi një iniciativë e fuqishme civile, e cila kërkonte angazhim të gjerë aktiv, fjalë për fjalë nga të gjithë – tha Stojmenova.

©Makedonium