Bashkëshortët Safet dhe Gjylzade Dokle e lidhën jetën me aparatin fotografik. Sot, rreth 100 vite pas lindjes së tyre, djemtë e çiftit i dhuruan muzeut “Marubi” një pjesë të madhe të fondit të ruajtur nga familjarët.
Një histori e përcjellë përmes fotosh ishte dhe qëllimi i çdo shkrepje që bashkëshortët Dokle bënin.
Sipas Ramadan Dokle, djali i Safet dhe Gjylzade Dokle në këto fotografi është jeta e qytetit të Kukësit nga vitet 1935 deri në vitet 1970.
“Janë dhuruar 841 rul filma që kanë rreth 90 mijë negative nga këto janë ndarë në albume që përmbajnë rreth 9000 foto të stampuara. Fotografitë janë të ndara sipas induksioneve apo fushave që janë bërë fotot. Kam që në vitin 1982 që merrem me këto foto dhe pas vitit 2014 kam filluar dhe dixhitalizimin e tyre”, tha Ramadan Dokle.
Për herë të parë, pas viteve 90 një fond kaq i madh i dhurohet një institucioni shtetëror. Koleksion, do të shërbejë jo vetëm për të apasionuarit pas fotografisë, por dhe për kërkime apo studime shkencore.
“Për ne është hera e parë që kemi një koleksion kaq të madh të dhuruar në muzeun “Marubi”, dhe patjetër që është mision i muzeut që të mbledhë të tilla vlera në territorin përreth. Gjithashtu është hera e parë që kemi koleksionin e një çifti që ka fotografuar, jo vetëm vlera të peizazhit të traditës, por do të jenë dhe pjesë e kërkimeve dhe studimeve shkencore, dhe një dialog do të fillojë dhe t’ju shërbejë dhe universiteteve”, tha ministrja e kulturës Elva Margariti.
Safet dhe Gjylzade Dokle që në moshën 13-vjeçare filluan të realizonin fotografitë e para. Ndonëse jetuan në një kohë ku mjetet dhe teknologjia ishin të pazhvilluara, ata arritën t’i ruanin punët e tyre.
©Makedonium