Gerasimov dhe Georgiev: Me vite dergjeshim në burgjet bullgare vetëm se jemi maqedonas (VIDEO)

Stojan Georgiev dhe Stojan Gerasimov nuk heqin dorë nga lufta për të drejtat e maqedonasve në Bullgari. Ata janë ende aktivë në organizatat e ndaluara maqedonase në Bullgari, qëllimi kryesor i të cilave janë të drejtat e pakicës maqedonase në këtë vend. Në intervistën për kanalin YouTube të shoqatës së qytetarëve ASNOM I RI, ata thonë se si gjimnazistë në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar janë persekutuar nga autoritetet bullgare vetëm se kanë dashur të flasin maqedonisht dhe të thonë se janë maqedonas. Edhe sot, thonë të dy, nuk ka ndonjë ndryshim të madh.


Stojan Georgiev dhe Stojan Gerasimov

Stojan Georgiev është një nga themeluesit e partisë OMO Ilinden-Pirin dhe sot kryetar nderi. Ai thotë se edhe në shkollën e mesme në Petriç kishte probleme vetëm sepse deshte të thoshte se është maqedonas dhe me faktin se donte të fliste maqedonisht me disa nga shokët e klasës. Në këtë, thotë Georgiev, problem më të madh në gjimnaz kishte nga mësuesi i gjuhës bullgare.

“Ajo më thoshte se nuk ka gjuhë maqedonase. Kam humbur një vit në shkollën e mesme vetëm sepse ajo më vuri një njësh. Pikërisht atëherë filloi angazhimi im serioz në luftën për të drejtat e maqedonasve në Bullgari. Më thonin se Maqedonia është term gjeografik, se nuk ka gjuhë maqedonase, se Goce Dellçev dhe Dame Gruev kanë qenë bullgarë. Ne formuam një organizatë rinore maqedonase. Gjatë gjithë jetës sime jam persekutuar nga autoritetet bullgare. Kam qenë në burg për herë të parë për 18 ditë si i ri. Pastaj formova një organizatë prej 67 anëtarësh. Por Bullgaria ka një shërbim të fortë inteligjence dhe unë u gjeta shpejt si themelues i asaj organizate dhe kalova 4 vjet në burg, nga viti 1957 deri në 1961. Për shkak të veprimtarisë sime kam qenë në burg nga viti 1973 deri në vitin 1976. Ne themeluam partinë OMO Ilinden në 1990”, thotë Georgiev, ndërsa për Marrëveshjen për miqësi ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, thotë se është e padrejtë dhe diskriminuese sepse në të nuk flitet për të drejtat e maqedonasve në Bullgari.

“Epo, ne ishim në burg për Maqedoninë dhe për ne nuk ka asnjë fjalë në atë marrëveshje”, thotë Georgiev.

Edhe fati i Stojan Gerasimov është i ngjashëm. Si i ri u aktivizua në luftën për të drejtat e maqedonasve në Maqedoninë e Pirinit. Atij i bënin vazhdimisht presione të thoshte se ishte bullgar, por nuk e bëri kurrë. Ishte aktiv. Shokët e tij u rrahën nga autoritetet bullgare vetëm se këndonin këngë maqedonase, ai u rebelua, shkroi parulla “Vdekje vrasësve, liri maqedonasve” dhe përfundoi në 4 vjet burg.

“Në ushtrin e Bullgarisë kishte shumë maqedonas nga Maqedonia e Pirinit, kemi kënduar këngë maqedonase dhe aty kemi rënë dakord që të bëjmë një lloj organizate. Në vitin 1971 krijuam një grup dhe vendosëm të bënim diçka. Menjëherë më pas kapën arkëtarin e organizatës që kishte listën e të gjithë neve që paguanim anëtarësinë dhe të gjithëve një nga një në thirrën në polici. Kështu filloi lufta ime për Maqedoninë. Isha 18 vjeç kur isha për herë të parë në burg. Unë kam qenë në burg gjithsej gjashtë vjet vetëm sepse kam thënë se jam maqedonas dhe sepse kam luftuar që maqedonasit të kenë të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare në Bullgari. Nuk e di pse bullgarët na urrejnë kaq shumë ne maqedonasit, më thoshte gjyshja. Që nga viti 1990 nuk na kanë ndaluar t’i themi vetes se jemi maqedonas, por jo në publik se nuk do ta shihni dritën e diellit. Ata duan që gjithçka të jetë bullgare”, thotë Gerasimov në bisedë.

© Makedonium

https://www.mkd.mk/makedonija/politika/gerasimov-i-georgiev-so-godini-lezhevme-po-bugarskite-zatvori-samo-zatoa-shto?fbclid=IwAR0EkAoB57eYRQVPBd1Ao1CNd59zfm8QFOP74DlA39rXg5irIRAm7pqlJuU