Deputeti I partisë Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski, në seancën plenare e datës 30 maj 2019, përshëndeti rekomandimin e KE për fillimin e pakushtëzuar të negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë me Bashkimin Evropian.
Më poshtë fjala e plotë:
I nderuar Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Republika e Shqipërisë, më 29 mars, shënoi 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO. Ndamë së bashku nderin dhe krenarinë e fluturimit të avionëve të NATO-s mbi qiellin shqiptar. Integrimi ynë Atlantik ka forcuar paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës. Republika e Shqipërisë ndërmori detyrim për të modernizuar dhe reformuar forcat e armatosura dhe besojmë se kjo po realizohet nga Qeveria. Të gjithë qytetarët e vendit e presin këtë, pavarësisht origjinës së tyre etnike, besimeve fetare, përkatësisë politike dhe statusit social.
Mbetet të gjithë së bashku të përshkojmë rrugën drejt integrimit evropian, për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Partia, Sekretar i përgjithshëm i të cilës jam unë, Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian, këtë angazhim të Republikës së Shqipërisë e ka vënë në mënyrë të qartë në ideologjinë e ekzistencës dhe aktivitetit të saj dhe prandaj në këtë parlament solemnisht deklaroj: Do të vazhdojmë betejën, Republika e Shqipërisë të fillojë bisedimet për anëtarësim, që në fund të festojmë anëtarësimin e plotë të Atdheut tonë në Bashkimin Evropian, si një përfitim për secilin individualisht dhe për të gjithë së bashku!
Integrimi Evropian është një angazhim i përbashkët i të gjithëve në Shqipëri: për shqiptarët, grekët, maqedonasit, vllehët, romët, egjiptianët, serbët, malazezët dhe boshnjakët.
Të nderuar deputetë,
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian na dha një rekomandim të kushtëzuar për hapjen e negociatave për anëtarësim. Të njëjtin rekomandim të kushtëzuar mori edhe Republika e Maqedonisë.
Në qershor të vitit 2018, procesi i vlerësimit filloi si hap i parë drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, si në Shqipëri ashtu dhe në Maqedoni.
Përshëndesim rekomandimin e Komisionerit Johannes Hahn, se Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë përparime në zbatimin e reformave dhe për këtë arsye kërkojmë nga Këshilli i Evropës të përcaktojë datat për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.
Vendimi i Komisionit Evropian është një hap i rëndësishëm përpara drejt Integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Na pret punë ambicioze dhe gjithëpërfshirëse, duhet të merren parasysh të gjitha fushat e përfshira në 35 kapitujt. Janë të nevojshme bisedime midis qeverisë dhe opozitës, është e dëshirueshme përfshirja e të gjitha pakicave kombëtare dhe shoqërisë shqiptare në tërësi, si për një qëllim të përbashkët, që na përket të gjithëve.
Shpresojmë se do të arrihet marrëveshja me Greqinë mbi kufijtë detarë dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri, për të përshpejtuar hapat për integrimin në Bashkimin Evropian.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë kriter për integrimin evropian dhe Republika e Shqipërisë duhet ta promovojë atë politikë me të gjithë fqinjët tanë. Maqedonasit në Shqipëri dhe Shqiptarët në Maqedoni janë urë bashkëpunimi dhe vëllazërie në marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase mbi parimet themelore të së Drejtës ndërkombëtare bazuar në sovranitetin e barabartë. Angazhimi ynë strategjik është një marrëveshje për paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të mira fqinjësie midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë.
Unë besoj se Republika e Shqipërisë gëzohet që anëtari i 30-të i NATO-s së shpejti do të bëhet Republika e Maqedonisë, si një garanci e domosdoshme për paqen dhe sigurinë e Ballkanit në tërësi.
Maqedonasit në Republikën e Shqipërisë si qytetarë luajalë mbështesin integrimin në Bashkimin Evropjan të Republikës së Shqipërisë, sepse është Atdheu ynë.
Faleminderit për vëmendjen tuaj.
– October 16, 2019Posted in: Albania