PIKA KUFITARE QAFË THANË MIDIS MAQEDONISË DHE SHQIPËRISË DO TË KALOHET ME NJË NDALIM

Nga sot, pika kufitare Qafë Thanë midis Maqedonisë dhe Shqipërisë do të kalohet me një ndalim. Kryeministrat e të dyja vendeve, Hristijan Mickoski dhe Edi Rama, sot shënuan fillimin e punës së „One Stop Shop“-it në këtë pikë kufitare.

Siç u tha, me „One Stop Shop“ do të lehtësohet transporti dhe do të ulet koha e udhëtimit, përkatësisht do të pritet më pak për kalimin e kufirit.

„Pres që kjo mënyrë komunikimi të vazhdojë edhe në pikat e tjera kufitare që i kemi me fqinjin tonë perëndimor, Shqipërinë, dhe në atë mënyrë t’i shtojmë edhe më tej lidhjet midis qytetarëve nga të dyja anët e kufirit. Gjithashtu, sistemi ‘One Stop Shop’ do të shtojë vlerë edhe në pjesën që do të thotë rritje e turizmit dhe e potencialit turistik që kanë të dyja vendet. Kur flas për të dyja vendet, këtu kam parasysh bregdetin e Ohrit, Ohrin dhe Strugën, si dhe komunat e tjera që gravitojnë, dhe natyrisht detin në Shqipëri“, tha kryeministri Mickoski.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se deri tani në këtë pikë kufitare ka vlejtur shprehja ‘kontrollo, kontrollo’, ndërsa tani do të jetë ‘beso dhe kontrollo’.

Në vitin 2025 në pikën kufitare Qafë Thanë ka pasur 2,3 milionë kalime, që është më shumë se gjysma e kalimeve të përgjithshme në pikat kufitare midis Maqedonisë dhe Shqipërisë.